Gostivari nxori një pikë nga derbi shqiptarë kundër ekipit të Vëllazërimit në Kërçovë, në javën e 8-të të Ligës së Dytë republikane në futboll ndeshje kjo që përfundoi me rezultat 1:1. Rezultati pozitiv ishte objektivi dhe qëllimi skuadrës së Gostivarit, gjë që u arrit edhe pse mundej të nxirret edhe fitore por të ishin realizuar shanset e krijuara. Ashtu si në ndeshjen ndaj Shkupit, Gostivari e kontrolloi dhe krijoi raste për shënim në pjesën e parë, por mungoi realizimi. Me të filluar pjesa e dytë në aksionin e parë, Vëllazërimi kaloi në avantazh me autogolin e shënuar nga mbrojtësi gostivaras Admir Demiri i cili nuk u kuptua me portierin Besir Nuhiu. Dhjetë minuta më vonë, mbrojtësi i Gostivarit Qahil Muaremi ndërhyri në mënyrë të palejuar dhe bëri penallti për Vëllazërimin që nuk arriti ta konkretizoj me gol futbollisti Florijan Kadriu i cili goditi traversën. Mos realizimin e rastit për të kaluar në avantazh të dyfishtë e shfrytëzoi ekipi i Gostivarit që e shënoi golin e barazimit në minutën e 63 me anë të Zejdan Alilit edhe pse zyrtarisht goli është shënuar për futbollistin Maliq Beluli. “Realisht ne para ndeshjes do kishim qenë të kënaqur edhe me një pikë. Pjesa e parë ishte e barabartë ndoshta ne kishim pak më tepër iniciativë. Pjesa e dytë sa filloi me gabim të portierit ne pranuam një autogol. Pas saj kishte një penallti të pamerituar për kundërshtarët të cilën ata e huqën dhe ne u kthym në lojë, e barazuam rezultatin. Ne sot fatkeqësisht patëm refer të Ligës së Parë i cili fatkeqësisht sikur anonte për nikoqirët, tërë kohës e ndërpriste lojën, nuk na jepte neve mundësinë që të shkojmë dhe ta sulmojmë kundërshtarin, mirëpo duke e ditur se është ndeshje derbi rëndë del fituesi. Ne jemi të kënaqur me një pikë të fituar në fushën mysafire”, tha pas ndeshjes Mensur Jakupi, trajner i Gostivarit i cili u shpreh i kënaqur me angazhimin e lojtarëve. Për Gostivarin në këtë ndeshje nuk luajti futbollisti Valon Zeqiri për shkak të lëndimit, i cili pritet të luaje në ndeshjen e radhës. Duhet përshëndetur pritja që bëri skuadra Vëllazërimit ndaj ekipit të Gostivarit një pritje tipike siç e kanë zakon shqiptarët ti bëjnë vëllait në shtëpi. Gostivari tre ndeshjet e radhës i zhvillon para publikut vendas, ku së pari të shtunën me fillim në ora 15:00 do të takohet me ekipin e Mladostit që më fitoren e fundit kaloi Gostivarin në tabelën e klasifikimit dhe është dy pikë para.